1            Programet e studimit (PS)

1.1         Informata të përgjithshme

Çështja e kurrikulave në një institucion arsimor është ndër çështjet fundamentale. Meqenëse, sistemi arsimor në Kosovë po kalon fazën e tranzicionit, kemi bërë përpjekje që planprogramet për Kolegjin tonë të hartohen duke u shfrytëzuar përvojat e mëparshme, ato të shteteve të rajonit, si dhe atyre nga hapësira evropiane e arsimit të lartë. Megjithëkëtë, mbetet synim për korrigjim dhe pasurim të vazhdueshëm të kurrikulave duke i përcjellë trendet në arsimin bashkëkohor evropian. Për të realizuar menaxhim sa më të suksesshëm si dhe për të zhvilluar politikën e zhvillimit të Kolegjit me njësi të reja akademike, UNIVERSI bën hulumtimin e kërkesave të tregut të punës dhe në bazë të kësaj i përshtat programet e veta të studimit.

Në Kolegj nga viti 2005/2006 ka funksionuar programi për edukim sportiv, me nivelin e studimeve bachelor, kurse nga viti 2010/2011 edhe niveli i studimeve master në programin Kulturë Fizike Sport dhe Rekreacion. Nga viti akademik 2011/2012 në Kolegjin UNIVERSI, krahas atyre ekzistuese, është akredituar edhe programi: Mjekësia sportive.

Programet e studimeve:

  • Bachelor
    • Kulturë fizike sport dhe rekreacion (Programi 4 vjeçar) (i akredituar 2012-2015)
    • Infermieri e Përgjithshme – (i akredituar 2013-2016)
    • Kulturë fizike sport dhe rekreacion (Programi 3 vjeçar) (i akredituar, 2013-2016)
  • Master
    • Kulturë fizike sport dhe rekreacion (i akredituar, 2015-2017)
    • Shëndeti, Sporti dhe Rekreacioni (i akredituar, 2013-2016)
    • Infermieri e Përgjithshme (Programi i ri)

Kolegji zhvillimin e planeve dhe programeve studimore, e mbështet në harmonizimin me planet dhe programet e studimeve me Universitete tjera në rajon dhe gjerë.

Kolegji UNIVERSI me Statutin e vet, ka përcaktuar kushtet dhe format e regjistrimit në çdo vit akademik, ka konceptuar tërë dinamikën e realizimit të këtij procesi në nivelin e studimeve themelore Bachelor.

Kuota e pranimit të studentëve për çdo vit akademik përcaktohet nga Bordi i Kolegjit. Kjo kuotë përcaktohet në proporcion me personelin akademik, administrativ, hapësirën me të cilën disponon UNIVERSI dhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme e që do të mundësonte proces cilësor studimor.

Kolegji organizon dy forma të studimeve: studim të rregullt dhe studim me korrespodencë (pa shkëputje nga puna) duke aplikuar kryesisht sistemin e moduleve.

1.1.1    Rregulloret dhe procedurat për zhvillimin/ rishikimin dhe aprovimin e kurikulave të reja (kriteret për cilësi dhe përgjegjësitë);

9.1. Çdo program studimi ka rregulloren e tij mësimore. Rregullorja mësimore e programit të studimit hartohet nga departamenti përgjegjës për programin e studimit, vlerësohet në Këshillin Mësimor dhe miratohet nga Senati i KU, së bashku me programin përkatës të studimit.

9.2. Rregullorja mësimore e programit të studimit, si bashkëshoqëruese e tij, është objekt rishikimi periodik. Rishikimi bëhet para fillimit të vitit të ri akademik dhe ka për qëllim të zgjidhë problemet që janë ndeshur gjatë procesit mësimor, të përmirësojë dhe përditësojë elementë të ndryshëm të programit të studimit.

9.3. Rregullorja mësimore e programit të studimit përmban:

  1. Listën e lëndëve mësimore, të ndara në module, si dhe veprimtaritë e tjera formuese
  2. Objektivat formuese specifike të çdo lënde apo veprimtarie tjetër formuese
  3. Kreditë dhe detyrimet për çdo lëndë mësimore apo veprimtari tjetër formuese
  4. Kurrikulat e ofruara studentëve (programet e shkurtuara të lëndëve)
  5. Format e studimit, të provimeve dhe verifikimeve të tjera të dijeve të fituara nga studenti
  6. Detyrimet specifike që lidhen me frekuentimin
  7. Kushtet, procedurat e modalitetet për transferimin e studentëve

9.4. Në rregulloren mësimore të programit të studimit parashikohet numri maksimal i kredive që mund të njihen në atë program për njohuri të fituara më parë nga studentët. Numri maksimal i kredive nuk mund të jetë më i madh se 60 për një vit akademik. (shiko shtojcen Rregullorja mësimore)

1.1.2    Rregullorja për vlerësimin e studenteve dhe progresin e tyre gjate studimeve

17.1. Në KU për të vlerësuar njohuritë e studentit përdoret sistemi i vlerësimit me 6-të nota, nga nota 5 (pesë) deri te nota 10 (dhjetë), ku 10 (dhjetë) është vlerësimi maksimal. Me këtë sistem bëhet vlerësimi në të gjitha format e kontrollit të përdorura. Notat nga gjashtë e lart janë kaluese.

17.2. Në rastin e organizimit të moduleve të përbërë ku marrin pjesë disa disiplina, vlerësimi realizohet nëpërmjet provimeve të integruara, ose me pjesë. Në të dyja rastet vlerësimi përfundimtar do të shprehet nëpërmjet një note mesatare të integruar, ku merret në konsideratë vlerësimi dhe kreditet për çdo pjesë të përfunduar.

17.3. Në programin e lëndës/modulit shprehen modalitetet e vlerësimit të saj, të cilat i bëhen të njohura studentëve me fillimin e procesit mësimor. (shiko shtojcen Rregullorja mësimore)

1.1.3    Rregulloret dhe procedurat për punimin e temave te diplomes BA, MA dhe PhD (për nivelet e ofruara);

32.1. Në përfundim të programit të studimit, studentët kanë të drejtë të diplomohen për të fituar titullin përkatës profesional të përcaktuar në statut. Diplomimi bëhet si rregull nëpërmjet: përgatitjes dhe mbrojtjes së një teze diplome.

32.2. Studenti nuk mund të mbrojë temën e diplomës pa përfunduar më parë të gjitha detyrimet mësimore dhe pa fituar numrin e krediteve të parashikuara në planet mësimore të programit përkatës të studimit.

32.3. Studenti, para mbrojtjes së punimit të diplomës, duhet të ketë përfunduar të gjitha detyrimet financiare dhe materiale që mund të ketë me KU, bibliotekën, etj (shiko shtojcen Rregullorja mësimore)

1.1.3.1   Teza e diplomës së nivelit të gjashtë – Baçellor

33.1. Teza e diplomës së nivelit të gjashtë është një punim, në formën e një projekti apo përmbledhjeje punimesh të kryera në fushat e programit përkatës të studimit. Teza e diplomës përmban kërkesa, mënyra e shtrimit të të cilave i jep mundësi studentit, që nëpërmjet njohurive të fituara gjatë periudhës së shkollimit, të tregojë aftësitë e tij për të zgjidhur elementë të veçantë të detyrave projektuese, probleme profesionale apo për të punuar me literaturën në fushën përkatëse.

33.2. Teza e diplomës eshtë e lidhur me disiplina të përafërta dhe mund të jetë individuale ose kolektive (dy-tre studentë). Në rastet e punimeve kolektive, studentet kanë të ndarë çështjet që do të trajtojnë, duke respektuar një ndarje afërsisht të barabartë të volumit të punës që do të kryejnë.

33.3. Tezat e diplomës dhe specialistët që do të udhëheqin punimin e tyre, përcaktohen nga departamenti përkatës dhe miratohen nga dekani. Në përcaktimin e tezave të diplomës, departamentet mund të bashkëpunojnë me institucione të tjera publike apo private që punojnë në fushat përkatëse.

33.4. Studenti ka të drejtë të shprehë dëshirën e tij në lidhje me tezën e diplomës që kërkon të zhvillojë, dhe udhëheqësin e tij. Ai mund të propozojë edhe vetë një tezë tjetër diplome së bashku me udhëheqësin përkatës. Departamenti shqyrton të gjitha kërkesat specifike të studentëve, duke i harmonizuar ato me kushtet aktuale.

33.5. Procedurat e paraqitjes dhe vlerësimit të punimit do të rregullohen me rregullore të veçantë. (shiko shtojcen Rregullorja mësimore)

1.1.3.2   Teza e diplomës së nivelit të shtatë – Master

34.1. Teza e diplomës së nivelit të shtatë është një punë e pavarur dhe krijuese e studentit në formën e një projekti apo studimi me karakter përgjithësues në fushën e programit të studimit që ka kryer. Teza e diplomës përmban një sërë detyrash e kërkesash, mënyra e shtrimit e të cilave i jep mundësi studentit, që nëpërmjet njohurive të fituara gjatë periudhës së shkollimit dhe punës konkrete studimore e projektuese, të tregojë aftësitë e tij profesionale dhe kompetencën për të kryer studime e projektime në fushat përkatëse.

34.2. Teza e diplomës është e lidhur me disa disiplina të përafërta dhe mund të jetë individuale

ose kolektive (dy-tre studentë), në rastet e tezave studimore komplekse. Në rastet e punimeve kolektive, studentët kanë të ndarë çështjet që do të trajtojnë, duke respektuar një ndarje afërsisht të barabartë të volumit të punës që do të kryejnë.

34.3. Tezat e diplomës dhe caktimi i specialistëve që do të udhëheqin punën e tezave të diplomës, përcaktohen nga departamenti përkatës dhe miratohen nga dekani. Në përcaktimin e tezave të diplomës, departamentet mund të bashkëpunojnë me institucione të tjera publike apo private që punojnë në fushat përkatëse.

34.4. Studenti ka të drejtë të shprehë dëshirën e tij në lidhje me tezën e diplomës që kërkon të zhvillojë, udhëheqësin dhe konsulentin e tij. Ai mund të propozojë edhe vetë një tezë tjetër diplome së bashku me udhëheqësin përkatës. Departamenti shqyrton të gjitha kërkesat specifike të studentëve, duke i harmonizuar ato me kushtet aktuale, pa cënuar nivelin e cilësinë e punimeve të diplomave.

34.5. Procedurat e paraqitjes dhe vlerësimit të punimit do të rregullohen me rregullore të veçantë. (shiko shtojcen Rregullorja mësimore)

1.1.4    Dokumenti mbi marrëdhëniet (raportet) e planifikuara ligjore ndërmjet institucionit dhe studentëve;

Marrëdhëniet e planifikuara ligjore ndërmjet Kolegjit Universi dhe studentëve rregullohen përmes Kontratës për vijimin e studimeve, për ma shumë ju lutem shikoni shtojcën Kontrata e studentve